Zija Këlliçi
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi më 1919 në Tiranë ku i kreu shkollimin fillor dhe gjimnazin. Studimet e larta i filloi në Universitetin Politeknik të Torinos (Itali), por për shkaqe lufte i ndërpreu studimet, por më 1945 i vazhdoi në Moskë dhe i përfundoi. Pas kthimit në Shqipëri punoi në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, me ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve në Yzberish dhe zv.ministër i Ndërtimit. Prej vitit 1952 kaloi në arsimin e lartë: drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik (1952-1957), rektor i parë i Universitetit Shtetëror të Tiranës (1957-1962), përgjegjës i Katedrës së Rezistencës së materialeve. Ky është edhe autor i tekstit “Rezistenca e materialeve” (Pjesa I) dhe ka botuar një varg artikujsh shkencorë dhe bëri jehonë referati i tij “Rreth deformimit të trupave të ngurtë” i botuar më 1973 në Kongresin IV Kanadez të Mekanikës së Zbatuar. Dr. Zija Këlliçi ka qenë deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë mëse 20 vjet (1950-1970). Ishte inxhinier i njohur i Ndërtimit dhe pedagog i dalluar. Vdiq në Tiranë më 1982.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.