← Shfleto

Zenun Gjocaj

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi në prill të vitit 1943 në Gjocaj të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në Junik, kurse të mesmen në Pejë. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe - e kreu në Prishtinë më 1972. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet në Prishtinë, ku edhe magjistroi në tetor të vitit 1980 me temën: ”ROLI I LUIGJ GURAKUQIT NË THEMELIMIN E GJUHËS LETRARE SHQIPE”. Mr. Zenun Gjocaj doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në dhjetor të vitit 1997 me temën: ”STRUKTURA LIRIKO-SEMANTIKE E STILISTIKE E FRAZEOLOGJISË SHQIPE”. Dr. Zenun Gjocaj në fillim punoi si mësues, e profesor i gjuhës shqipe në Junik e Deçan si dhe në Akademinë Pedagogjike të Prishtinës. Në vitin 1981 u burgos nga pushteti serbokomunist dhe ka vuajtur 6 vjet burg në kazamatet e Jugosllavisë. Dr. Z. Gjocaj pas lirimit nga burgu u punësua si prof. i gjuhës shqipe në Shkollën e mesme në Vushtrri, ku punoi një kohë të gjatë, mandej u zgjodh Këshilltar Pedagogjik në Vushtrri. Ka të botuara 20 punime shkencore e gjuhësore dhe ka marrë pjesë në disa tubime shkencore në Kosovë dhe jashtë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.