Zenel Kelmendi
Doktor i shkencave të mjekësisë
Lindi më 1937 në Preshevë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Prishtinë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Zagreb më 1964. Specializoi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës dhe në Zagreb, mandej shkoi në Pragë dhe Gjenevë. Pas specializimeve doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në dhjetor të vitit 1980 me temën: ”ROLI DHE RËNDËSIA E SIMPATEKTOMISË NË MJEKIMIN E SINDROMËS ISKEMIKE”(sr). Dr. Zenel Kelmendi në fillim punoi si mjek në Spitalin e Gjilanit, mandej kaloi në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës me 1972 zgjidhet asistent i Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës, ku arriti deri te prof. ordinar i Kirurgjisë së Përgjithshme në këtë Fakultet. Dr. Z. Kelmendi ka qenë dekan i Fakultetit të Mjekësisë si dhe rektor i Universitetit të Prishtinës. Ka të botuara 53 punime shkencore si autor-koautor.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.