Xhevat Berisha
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi në prill të vitit 1957 në Sllatinë të Madhe të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme teknike dhe Fakultetin e Makinerisë i kreu në Prishtinë më 1980. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Makinerisë-Anijendërtimtarisë të Zagrebit, ku edhe magjistroi në korrik të vitit 1989 me temën: ”ANALIZA HIDRODINAMIKE E SISTEMEVE TË PËRBËRA TË TUBACIONEVE”(kr). Mr. Xhevat Berisha doktoroi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Prishtinë në shtator të vitit 2005 me temën: ”ANALIZA DHE SINTEZA E REGJIMEVE TË PUNËS SË RRJETEVE TERMIKE”. Dr. Xhevat Berisha në fillim punoi në BVI për banim dhe lokal afarist të Prishtinës, në INM “Kosova” dhe në TC. “Kosova” të Obiliqit. Më 1981 u zgjodh asistent për lëndët: Stabilimentet termoenergjetike, Transmetimi i energjisë dhe masës në Fakultetin e Makinerisë në Katedrën e Termoenergjetikës të Prishtinës, punoi edhe në SHLT në Mitrovicë. Ka qenë kryetar i Rinisë së studentëve të Fakultetit Teknik të Prishtinës, kryetar i Pleqësisë dhe prodekan i këtij fakulteti, ka të botuara 13 punime shkencore dhe një tekst për lëndën që e ligjëron për studentë të makinerisë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.