← Shfleto

Xheladin Nushi

Doktor i akademisë tregtare

Lindi në mars të vitit 1903 në Gjakovë. Mësimet e para i mori në vendlindje. Në moshën 11-vjeçare shkoi në Durrës që të luftonte kundër rebelëve esadistë, si luftetar i kolonelit Tomson. Aty Xheladini u plagos. Për trimëri Princ Vidi e dekoroi Xheladinin 11 - vjeçar me “Medalen e Trimërisë”. Pas shërimit Xheladini me bursën e shtetit shqiptar u dërgua të shkollohej në Austri më 1914, ku i kreu shkollën e mesme Tregtare dhe Akademinë e Tregtisë në Universitetin e Vjenës në vitin 1927. Atje doktoroi në lëmin e tregtisë. Pas shkollimit Dr. Xheladin Nushi u kthye në Shqipëri dhe u emrua mësues e Drejtor në Shkollën Tregtare të Vlorës, që përgatiste specialist të tregtisë. U emrua në Shkollën Tregtare të Korçës, më 1933 u transferua në Tiranë dhe u emrua drejtor i Shkollës Teknike, dhe vazhdoi punën deri në pushtimin e Shqipërisë më 1939. Dr. Xheladin Nushi në atë kohë u largua nga Shqipëria, shkoi në Turqi dhe në Siri (Damask). Për jetën e tij pas Damaskut nuk kemi të dhëna, por se në fund jetoi në Angli. Bëri jetë të vështirë dhe pa familje.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.