Vesel Nuhiu
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi më 1938 në Kurbali të Preshevës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Preshevë, kurse të mesmen (Normalën) në Shkup. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Angleze e kreu në Prishtinë më 1967. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1974 me temën: ”ELEMENTET ANGLEZE NË GJUHËN SHQIPE ANALIZË FONETIKE”(kr). Mr. Vesel Nuhiu doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në prill të vitit 1982 me temën. ”GJUHA SHQIPE NË BOSTON DHE RRETHINË DHE NDIKIMI I ANGLISHTES MBI TË”. Dr. Vesel Nuhiu së pari punoi si mësues mandej si prof. në Gjimnaz të Kumanovës, në Bibliotekën Universitare të Prishtinës, më 1971 u zgjodh asistent i gjuhës angleze në Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë angleze në Prishtinë, ku arriti deri te prof. ordinar i Fonetikës dhe i sintakses së gjuhës angleze në këtë fakultet. Ka të botuara 18 punime shkencore, dhe tekste shkollore për fillore dhe për të mesmen, dhe disa përkthime nga shqipja në anglishte dhe anasjelltas. Ka qenë edhe prodekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.