Vasfi Samimi
Doktor i mjekësisë veterinere
Lindi më 1905 në Visokë të Fierit. Mësimet fillestare i kreu në Fier. Shkollën e mesme dhe Fakultetin e Veterinarisë i kreu në Stamboll, kurse specializimin në Universitetin e Berlinit dhe më 1931 mbrojti tezën e Doktoratës dhe mori gradën “Doktor i shkencave në Mjekësinë Veterinere”. Vasfiu është marrë me sport dhe në atë kohë ka luajtur futboll në Turqi për Skuadrën “Fenerbashqe”. Me kërkesën e Ministrisë Shqiptare Vasfiu u kthye në atdhe dhe u caktua të punonte si veteriner në Qarkun e Vlorës. Pra, Dr. Vasfi Samimi është pioner i Veterinarisë Shqiptare së bashku me Bilall Golemin e Tare Libohovën. Më 1933 Dr. Vasfiu u emërua në detyrë të lartë në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare. Dr. Vasfi Samimi është figura e parë e blegtorisë shqiptare (1939-1944). Së fundi Dr. Vasfiu emërohet pedagog në Institutin e Lartë të Bujqësisë të Kamzës dhe mori titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”. Vdiq në Tiranë më 1981.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.