← Shfleto

Uran Asllani

Doktor i shkencave të natyrës – biokimisë

Lindi në qershor të vitit 1939 në Tiranë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakultetin e Shkencave të Natyrës-Dega Kimi e kreu në Tiranë më 1963. Pas diplomimit shërbeu si mësimdhënës në Gjimnazin e Lezhës dhe të Peqinit. U inkuadrua në Industrinë Ushqimore të Elbasanit, si udhëheqës i kësaj fabrike, më vonë kryeinxhinier i Kompanisë “Durcas Albanie” si drejtor i Departamentit të Kërkimzhvillimit. Së pari u gradua “kandidat i shkencave” e më 1990 mori gradën “doktor i shkencave” kurse më 1995 “profesor inordinar”. Dr. Uran Asllani punën shkencore e filloi më 1966 me dy artikuj dhe vazhdoi me botime në Buletinin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës në fushën e Kimisë së esencave eterovajore në vend. Ka të botuara dy libra dhe disa punime shkencore kryesisht jashtë vendit si në Vjenë, Stamboll, Tel Aviv, Sevilje dhe në Amerikë. Ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore në vend dhe jashtë.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.