← Shfleto

Tomë Berisha

Doktor i shkencave teknike – ushtarake

Lindi në korrik të vitit 1923 në Podgoricë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Fakultetin e Makinerisë e filloi në Zagreb dhe e kreu në Lubjanë më 1953. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Akademinë Ushtarake të Zagrebit, ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1971 me temën: ”DREJTIMI I PROJEKTILEVE RAKETORE ME VEPRIMIN E CURILIT TË GAZËRAVE TË MOTORIT REAKTOR”(kr). Mr. Tomë Berisha e vazhdoi punën shkencore në kuadër të Ushtrisë Jugosllave, ku në Akademinë Ushtarake të Zagrebit doktoroi në dhjetor të vitit 1978 me temën ”KONTRIBUT ZGJEDHJES DHE SINTEZËS SË PARAMETRAVE PËR PROJEKTIMIN E MOTORRIT REAKTOR ME LËNDË DJEGËSE TË NGURTA”(kr). Dr. Tomë Berisha specializoi në Universitetin e Brukselit. Ka qenë docent në Shkollën Superiore Ushtarake të Zagrebit për lëndën Shtypja raketore, Bazat e teknikës raketore në Fakultetin Kimiko-Teknologjik të Zagrebit. Që nga viti 1971 në Fakultetin Teknik të Prishtinës ligjëroi lëndën Mekanika e fluideve dhe termodinamika, ligjëroi edhe në FXM të Mitrovicës dhe arriti deri te prof. ordinar i Mekanikës së fluideve. Dr. T. Berisha gjithkohën ka punuar si oficer i APJ dhe mori gradën e gjeneralmajorit. Ka të botuara 4 tekste për studentë të AUJ, ka 1 tekst universitar për studentë të Fakultetit të Makinerisë. 28 punime shkencore dhe zotëron 6 gjuhë botërore.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.