← Shfleto

Teki Biçoku

Doktor i shkencave të gjeologjisë – gjeolog

Lindi në maj të vitit 1926 në Elbasan. Mësimet e para dhe Normalen e përfundoi në vendlindje, kurse Teknikën e filloi në Korçë dhe e kreu në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Institutin e Naftës në Moskë (Rusi), ku u diplomua më 1953 dhe është inxhinier. i parë i gjeofizikës - minerar i diplomuar jashtë vendit. U doktorua në Tiranë në prill të vitit 1965 me temën:”ANALIZA DHE PËRGJITHËSIMI I REZULTATEVE TË PUNIMEVE SIZMOMETRIKE NË ULTËSIRËN PANADRIATIKE DHE ZGJEDHJA E METODËS SIZMIKE MË RACIONALE PËR TE ”. Dr. Teki Biçoku ka marrë pjesë në LNÇ, ka qenë edhe oficer. Në fillim punoi si inxh. gjeofizik në Fier, mandej kryetar i Degës Gjeologjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjeodezisë në Tiranë. Zv/ kryetar dhe kryegjeolog i Komitetit Shtetëror të Gjeologjisë, ka qenë Drejtor i drejtorisë së Përgjithshme të Gjeologjisë në Ministrinë e Minierave dhe të Gjeologjisë në Tiranë. Drejtor i Institutit të Studimeve dhe të Projektimeve Gjeologjike e Minerore në Tiranë. Në maj të vitit 1977 arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg, e më 25 shtator 1991 Plenumi dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë e deklaruan të pafajshëm. Më 1973 u zgjidh anëtar i Akademisë së Shkencave të Tiranës. Ishte pedagog i jashtëm në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave. Ka qenë anëtar-drejtues i disa forumeve gjeologjike, dhe kryeredaktor i Buletinit “Përmbledhje studimesh dhe Buletinit të shkencave gjeologjike”. Akademik Teki Biçoku ka të botuar më se 90 studime e artikuj shkencorë dhe 2 monografi. Ka qenë referues në disa kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare të gjeologëve, përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Komisionin e Gjeologjisë të K.N.E.R. Ka qenë përpilues dhe hartues i hartës gjeologjike të Shqipërisë (shqip-frëngjisht). Ka qenë edhe kryetar i Akademisë së Shkencave të Tiranës. Mban këto dekorata: “Medalja e Kujtimit”, “Medalja e Çlirimit”, Medalja e Trimërisë” kl. II dhe I, “Çmimi i Republikës” i shkallës I.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.