Tafil Kelmendi
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi më 1948 në Balincë të Klinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Gjimnazin) në Prishtinë, ku e kreu edhe Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë më 1974. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet dhe magjistrua në Prishtinë në dhjetor të vitit 1981 me temën: ”FUNKCIONET SINTAKTIKE TË KONSTRUKSIONIT INFINITIV NË GJUHËN SHQIPE”. Mr. Tafil Kelmendi doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në dhjetor të vitit 1988 me temën: ”FUNKCIONET E KOHËS SË PAKRYER TË DËFTORËS NË SHQIPËN E SOTME LETRARE”. Dr. Tafil Kelmendi së pari zgjidhet asistent i Sintaksës në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës ku arriti deri te docent i kësaj lënde. Ka qenë në specializim në Paris. Ka të botuara: një vepër dhe 18 studime e artikuj shkencor dhe ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj. Vdiq më 1993.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.