Sylë Tahirsylaj
Doktor i shkencave – fizika e atmosferës – metereologjisë
Lindi në gusht të vitit 1949 në Isniq të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Teknikën) në Prishtinë. FSHMN-Dega e Fizikës e kreu në Prishtinë më 1987. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Fizikës Teknike në Beograd, kurse magjistroi në Tiranë në dhjetor të vitit 1993 me temën: ”KONVEKSIONI I REVE BRESHËRFORMUESE”. Mr. Sylë Tahirsylaj doktoroi në Fakultetin e SHM Departamenti i Fizikës së përgjithshme - në Tiranë në shtator të vitit 1996 me temën: ”MBROJTJA KUNDËR BRESHËRIT DHE REVE BRESHËRFORMUESE NË KOSOVË 1987 – 1990”. Dr. Sylë Tahirsylaj punoi si arsimtar në vendlindje, si profesor i fizikës në shkolla të mesme të Prishtinës, në atë “Gj. Gazulli” ka qenë zëvendësdrejtor. Dr. S. Tahirsylaj ka qenë pjesëmarrës në hapjen e shkollës së mesme në Medvexhë ku edhe ka dhënë mësim. Ka qenë zëvendësdrejtor i Entit Hidrometeorologjik të Kosovës. Këshilltar dhe drejtor i Entit pedagogjik të Republikës së Kosovës. Ligjërues në Fakultetin e Xehetarisë dhe të Metalurgjisë të Mitrovicës dhe ligjërues i agrometeorologjisë me klimatologji në Fakultetin e Bujqësisë të Prishtinës. Tash është drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës. Ka të botuara 15 punime profesionale, 20 punime shkencore, 2 tekste të fizikës për shkolla të mesme si autor dhe në 2 tekste koautor.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.