Suzana Manxhuka-Kërliu
Doktor e shkencave të mjekësisë
Lindi në prill të vitit 1959 në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në Prishtinë, ku e kreu edhe Fakultetin e Mjekësisë më 1983. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Prishtinë në qershor të vitit 1989 me temën: ”SUBSTRATI PANTOMOTORIK DHE MUNDËSIA E EKZAMINIMIT MIKROBIOLOGJIK TË PNEUMONIVE INTRAUTERINE DHE NEONATALE SI SHKAK I RËNDËSISHËM I VDEKJEVE NEONATALE”. Mr. Suzana Manxhuka-Kërliu doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në prill të vitit 1997 me temën: ”STUDIMI I LEZIONEVE PREKURSORE AAH DHE PIN SI DHE APLIKIMI I KRITEREVE TË DEFINUARA DIAGNOSTIKE E PRAGNOSTIKE (GRADUNG-STAGING SISTEMI) TË KARCINOMES SË PROSTATËS”. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu specializoi në Fakultetin e Mjekësisë të Zagrebit dhe në SHBA. Është anëtare e Shoqatës Evropiane të Patologjisë, ka marrë pjesë në shumë kongrese evropiane. Ka qenë senatore nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Prej fillimit ka punuar në Institutin e Anatomisë Patologjike të Fakultetit të Mjekësisë të Prishtinës, së pari asistente e lëndës anatomia patologjike dhe arriti deri te prof. inordinar në këtë fakultet. Ka të botuara 71 punim shkencor si autor-koautor, 36 prej tyre të botuara jashtë Kosovës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.