Skënder Kërçuku
Doktor i shkencave të ekonomisë
Lindi në prill të vitit 1947 në Lushnjë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Teknikumin Ekonomik në Tiranë, ku e kreu edhe Fakultetin Ekonomik-Dega Financa-Kontabilitet më 1971 dhe diplomoi “Ekonomist Kontabël”. Në vitin 1984 e mbrojti gradën “Kandidat i Shkencave” me temën: ” EVIDENTIMI I SHPENZIMEVE DHE LLOGARITJA E KOSTOS SË PRODHIMEVE SIPAS QENDRAVE TË PËRGJEGJËSIVE NË NDËRMARRJET INDUSTRIALE” Në Fakultetin Ekonomik të Tiranës. Në vitin 1993 Komisioni i Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës konvertoi gradën “Kandidat i Shkencave” në “Doktor i Shkencave”. Dr. Skënder Kërçuku punoi në Uzinën Mekanike të Gramshit, pedagog në Katedrën e Kontabilitetit të Fakultetit Ekonomik të Tiranës, ku i pat ligjëruar lëndët: Analiza e veprimtarisë ekonomike dhe financiare të ndërmarrjeve dhe Kontabiliteti i Industrisë. Dr. S. Kërçuku ka të botuara 5 tekste universitare dhe 11 artikuj shkencorë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.