Skënder Gashi
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi në shtator të vitit 1944 në Busi të Prishtinës. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në Prishtinë, ku e kreu edhe Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe - në Prishtinë më 1969. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik-Drejtimi Gjuhësi e përgjithshme dhe ballkanistikë antike në Zagreb, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1974 me temën: ” MATERIALI LEKSIKOR I SHQIPES NË INTERPRETIMIN ETIMOLOGJIK TË TOPONIMEVE TË VJETRA BALLKANIKE”(kr). Mr. Skender Gashi doktoroi në Fakultetin Filozofik-Drejtimi i Ballkanistikës moderne e i Sllavistikës në Universitetin e Salzburgut në qershor të vitit 1984 me temën: ” EMRAT E SHQIPTARËVE NË SHEKULLIN XIII – XV NË DRITËN E BURIMEVE KISHTARE SERBE”(gj). Dr. Skender Gashi së pari punoi si profesor i Gjimnazit të Prishtinës, në Institutin Albanologjik si Bashkëpunëtor shkencor, prej vitit 1981 punon si Lektor në Universitetin e Vjenës, është njohës i historisë së gjuhëve “të vdekura” të Ballkanit. Ka më tepër se 100 punime të botuara nga fusha e Albanologjisë. Është marrë me përkthime tekstesh shkollore prej gjermanishtës në shqipe. Ka përkthyer edhe vepra të tjera. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume në ish-Jugosllavi e gjetiu. Jeton dhe punon në Vjenë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.