← Shfleto

Shyqri Galica

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi në nëntor të vitit 1951 në Rashincë të Ferizajt. Shkollën fillore e kreu në Myzeqinë, kurse të mesmen (Gjimnazin) në Ferizaj. Fakultetin Filozofik Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë më 1978. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet në Prishtinë ku edhe magjistroi në prill të vitit 1986 me temën: ”POEZIA E FATOS ARAPIT”. Mr. Shyqri Galica doktoroi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë në qershor të vitit 1997 me temën: ”FAIK KONICA-ESEIST DHE KRITIK LETRAR“. Dr. Shyqri Galica një kohë punoi si spiker-gazetar në Radio Prishtinë, prej vitit 1978 në gazetën “Rilindja” së pari si gazetar, redaktor i rubrikës së kulturës. Pas një kohe kaloi në Fakultetin e Filologjisë si asistent, ligjërues i lëndës Historia e letërsisë botërore dhe Letërsi shqipe edhe në Fakultetin e Arteve në Prishtinë dhe arriti deri te docenti i këtyre lëndëve në këto fakultete. Dr. Sh. Galica merret edhe me shkrime (poezi, prozë), studime, kritika, ese e recensione dhe ka të botuara 6 vepra. Aktualisht është docent në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.