← Shfleto

Shefqet Pllana

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1930 në Ferizaj. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Prishtinë, kurse të mesmen (Normalen) e kreu në Gjakovë. Fakultetin Filozofik-Dega e Albanologjisë e kreu në Beograd më 1957. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Beograd në qershor të vitit 1964 me temën: ”KËNGET POPULLORE SHQIPTARE NGA KOSOVA ME TEMATIKË NGA REVOLUCIONI POPULLOR”(sr). Mr. Shefqet Pllana doktoroi në të njëjtin fakultet në Beograd në nëntor të vitit 1970 me temën: ”POEZIJA POPULLORE E SHQIPTARËVE TË KOSOVËS”(sr). Dr. Shefqet Pllana punoi si mësues, prof. i gjuhës shqipe në Normale të Prishtinës dhe më 1965 u zgjodh asistent i lëndës Letërsia Shqipe në Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë dhe arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës. Dr. Sh. Pllana ka qenë mbledhës i denjë i folklorit shqiptar dhe ka marrë pjesë në shumë simpoziume si në vend dhe jashtë (Ballkan dhe Evropë). Ka mbajtur ligjërata për folklorin shqiptar në shumë vende të Ballkanit dhe të Evropës. Ka qenë shef i Katedrës së Gjuhës në Fakultetin Filozofik dhe dekan i këtij fakulteti të Prishtinës. Ka qenë udhëheqës i studimeve të Shkallës së Tretë në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës. Ka të botuara 170 punime shkencore kryesisht për folklorin burimor shqiptar.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.