Shefki Sejdiu
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi më 1936 në Pakashticë të Podujevës (Besianë). Shkollën fillore e nisi në Kërpime dhe e kreu në Podujevë, të mesmen (Normalen) e kreu në Prishtinë. Fakultetin Filozofik – Dega e Romanistikës e kreu në Shkup më 1962. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik-Seksioni i Linguistikës së Përgjithshme dhe Romane - në Zagreb, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1975 me temën: ”FITONIMIA SHQIPE E KOSOVËS-LËNDA, NDARJA DHE ETIMOLOGJIA” (kr). Mr. Shefki Sejdiu doktoroi në të njëjtin fakultet në Zagreb në prill të vitit 1985 me temën ”PËRKIMET FORMALE DHE SEMANTIKE NË PROCESET E EMËRTIMIT NË FITONIMINË E GJUHËVE ROMANE NË GJUHËN SHQIPE DHE KROATOSERBE” (kr). Dr. Shefki Sejdiu së pari punoi si mësues e profesor i gjuhës frënge në Gjimnaz të Podujevës dhe të Prishtinës. Më 1972 u zgjodh ligjërues i historisë së gjuhës frënge dhe Latine në Degën e Gjuhës dhe të letërsisë frënge të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet, ku punoi deri sa u pensionua. Ka të botuara 6 studime monografike, 3 tekste të përkthyera dhe të adaptuara për shkolla fillore e të mesme të gjuhës frënge, 20 kumtesa të mbajtura në simpoziume në Kosovë dhe jashtë. Specializoi në Sorbonë 2 vjet. Ka ligjëruar në universitetet: të Lisbonës, Bukureshtit, Sofjes, Velika Tërnovës, Zagrebit dhe të Elbasanit. Dr. Shefki Sejdiu është anëtar i Lidhjes së profesorëve universitarë për të drejtat e njeriut Cap Taun dhe i Asociacionit Ballkanik dhe të Sllavistikës në Rumani.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.