Shan Zefi
Doktor i shkencave juridike kishtare
Lindi në korrik të vitit 1959 në Dunav të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Gjimnazin klasik) në Suboticë. Fakultetin e Filozofisë e kreu më 1983 dhe Fakultetin e Teologjisë e kreu më 1987 në Zagreb. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Juridik në Romë, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1990 me temën: ”VLERËSIMI JURIDIK I KUVENDIT TË ARBËRIT NDAJ LARAMANIVE NË SHEKULLIN E XVIII”(it). Mr. Shan Zefi doktoroi në Proutificia Universitas Urbaniana në Romë në dhjetor të vitit 1992 me temën: ”KËRKIME HISTORIKO-JURIDIKE MBI ISLAMIZIMIN E LARAMANIZMIN E SHQIPTARËVE PREJ SHEKULLIT XV-XX”(it). Dr. Shan Zefi është Kancelar Ipeshkvor dhe kryetar i Gjyqit Kishtar në Prizren, ku edhe punon. Ka punuar edhe në Ferizaj. Ka të botuara më tepër se 20 punime shkencore dhe disa vepra kryesisht për islamizimin e shqiptarëve gjatë shekujve XV-XX. Dr. Sh. Zefi ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume shkencore në Kosovë dhe në Evropë, ka kontribuar në ndriçimin e shumë çështjeve që kanë të bëjnë me identitetin tonë kombëtar e fetar.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.