Sejfedin Haruni
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi në janar të vitit 1944 në Gradec të Gostivarit. Shkollën fillore e kreu në Rijekë të Kroacisë, Shkollën Normale e kreu në Shkup, kurse Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe letërsisë Shqipe e kreu në Prishtinë më 1971. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet të Prishtinës, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1978 me temën: ”E FOLMJA SHQIPE E REKËS SË EPËRME TË GOSTIVARIT”. Mr. Sejfedin Haruni doktoroi në Fakultetin e Shkencave humane në Tiranë në shtator të vitit 1994 me temën: ”PROBLEMET THEMELORE DIDAKTIKE PËR GJUHË DHE LETËRSI SHQIPE NË SHKOLLAT FILLORE TË MAQEDONISË”. Dr. Sejfedin Haruni së pari punoi si mësues, mandej prof. i gjuhës shqipe në Gjimnaz dhe në Shkollën Ekonomike të Gostivarit. Është ndër themeluesit e Universitetit të Tetovës ku ka qenë edhe Prorektor i këtij universiteti. Ka qenë Deputet në Kuvendin e Maqedonisë plot 12 vjet me rradhë dhe këshilltar Pedagogjik në nivel të shtetit të Maqedonisë. Dr. Sejfedin Haruni aktualisht është prof. inordinar i metodikës së Kulturës së të Folurit në Fakultetin Pedagogjik të Shkupit.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.