Sebiha Kasimati
Doktor e biologjisë – iktiologe
Lindi më 1912 në Edrenë (Adrianopol) të Turqisë Evropiane në një familje nga Libohova, që më 1927 u kthye në atdhe dhe u vendos në Korçë. Sebihaja i kreu mësimet fillestare dhe Liceun Kombëtar të Korçës, që pas shkollimit punoi si mësuese në shkollën femërore të Korçës dhe në Shkollën e Mesme Bujqësore Amerikane të Kavajës. Më 1936 i filloi studimet e larta për biologji-dega e iktiologjisë në Universitetin e Torinos (Itali) dhe u diplomua në këtë fakultet, dhe më 1941 doktoroi dhe u kthye në atdhe. Dr. Sebiha Kasimati pas doktorimit punoi si mësimdhënëse e biologjisë në institutin e femrave “Nëna Mbretëreshë” të Tiranës, dhe filloi të merrej me punë kërkimore-shkencore në Institutin e Studimeve dhe u mor me studimin e peshqve të Shqipërisë. Ka botuar disa artikuj shkencorë në Buletinin e Institutit të Shkencave, mblodhi material të pasur për iktiologjinë e Shqipërisë. Më 20.02.1951 u arrestua nga regjimi komunist në lidhje me incidentin e bombës në Ambasadën sovjetike dhe së bashku me 21 të tjerë u arrestuan dhe u pushkatuan pa u gjykuar më 26.02.1951.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.