Sadik Rashiti
Doktor i shkencave të filozofisë
Lindi në korrik të vitit 1944 në Pogragjë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Normalen) në Prishtinë, ku e kreu edhe Fakultetin Filozofik-Dega e Pedagogjisë në Prishtinë më 1968. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik-Dega e Filozofisë në Zagreb, ku edhe magjistroi në maj të vitit 1974 me temën: ”TEORIA E REFLEKTIMIT TË VITGENSHTAJN-IT DHE LENINIT ME VËSHTRIM TE NE”(kr). Mr. Sadik Rashiti doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në dhjetor të vitit 1987 me temën: ”DOKTRINA ETIKE E LENINIT DHE PRAKTIKA E SOCIALIZMIT VETËQEVERISËS NË JUGOSLLAVI”(sr). Dr. Sadik Rashiti në fillim punoi si mësues në vendlindje, si profesor i filozofisë, pedagogjisë dhe psikologjisë në Normale dhe Gjimnaz të Gjilanit. Dr. Sadiku u angazhua për hapjen e gjimnazit në Tërnoc të Bujanocit, vullnetarisht punoi një kohë. Më 1973 u zgjodh asistent për lëndën Bazat e filozofisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku arriti deri te prof. ordinar i filozofisë. Ka ligjëruar në disa fakultete të Universitetit të Prishtinës, dhe në SHLP të Gjilanit, në Fakultetin e Mësuesisë ka qenë prodekan. Ka të botuara 29 punime dhe 2 tekste universitare, 2 botime të veçanta. Specializoi në Sankt Petersburg dhe në Moskë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.