Sabri Kadriu
Doktor i shkencave të ekonomisë
Lindi me 1940 në Zhegër të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Normalën) në Prishtinë. Fakultetin Ekonomik e kreu në Zagreb më 1965. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Ekonomik të Shkupit, ku edhe magjistroi në nëntor të vitit 1978 me temën: ”METODAT E FINANCIMIT TË REPUBLIKAVE JO MJAFT TË ZHVILLUARA ME VËSHTRIM TË POSAÇËM NË KSA TË KOSOVËS”(ma). Mr. Sabri Kadriu doktoroi në Fakultetin Ekonomik të Tiranës në qershor të vitit 1996 me temën: ”FINANCIMI I KONSUMIT TË PËRGJITHSHËM E TË PËRBASHKËT ME VËSHTRIM TË POSAÇËM NË KSA TË KOSOVËS”. Dr. Sabri Kadriu së pari punoi si mësues në vendlindje, në Kontabilitetin Shoqëror të Gjilanit, e më 1967 zgjidhet asistent i lëndëve Financat dhe E drejta financiare në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku arriti deri te prof. Ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Ka qenë prodekan i Fakultetit Juridik, kryetar i Lidhjes së Ekonomistëve të Kosovës dhe anëtar i Lidhjes së Ekonomistëve të Jugosllavisë, drejtor i Institutit Ekonomik të Prishtinës, ligjëron edhe në Universitetin e Tetovës. Ka të botuara 80 publikime profesionale dhe 5 libra nga lëmi i financave ka disa Mirënjohje për punën e tij profesionale.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.