← Shfleto

Sabit Uka

Doktor i shkencave të historisë

Lindi në nëntor të vitit 1920 në Sllatinë të Madhe të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Shkollën e Zejtarisë e kreu në Prishtinë, e mandej e kreu me kurset pedagogjike (Normalen) në Pejë. SHLP – Dega Histori-Gjeografi e kreu në Nish më 1955. Fakultetin Filozofik-Degën e Historisë e kreu në Shkup më 1967. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku edhe magjistroi në dhjetor të vitit 1979 me temën: ”SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE TË SERBISË JUGORE 1877 – 1878 DHE VENDOSJA E TYRE NË SANXHAKUN E DIKURSHËM TË PRISHTINËS”. Mr. Sabit Uka e vazhdoi punën shkencore dhe doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në shtator të vitit 1993 me temën: ”VENDOSJA DHE POZITA POLITIKE, EKONOMIKE DHE SHOQËRORE E MUHAXHIRËVE SHQIPTAR NË KOSOVË 1878 – 1912”. Dr. Sabit Uka ka qenë i Internuar në Gjermani në Luftën e Dytë Botërore. Në fillim ka punuar si mësues dhe drejtor i shkollës në Shtime, punoi si Inspektor i Arsimit në Komunën e Lypjanit, mandej ka punuar zëvendësdrejtor në Shkollën e mesme Bujqësore të Prishtinës, profesor i gjuhës gjermane në Shkollën Teknike të Obiliqit. Ka qenë Inspektor i arsimit fillor dhe drejtor i BVI së Punësimit në Prishtinë. Ka të botuara 30 punime shkencore dhe 6 vepra nga lëmia e historiografisë (Muhagjirisë shqiptare) ku ka dhënë një kontribut të çmuar shkencor. Vdiq në Prishtinë në shtator të vitit 2006.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.