← Shfleto

Sabit Bilalli

Doktor i veterinarisë

Lindi më 1899 në Golem të Kurveleshit, në vitin 1906 migroi në Stamboll ku e vazhdoi shkollimin fillor dhe të mesëm. Më 1923 e kreu shkollimin e lartë në veterinën ushtarake, ku diplomoi veterinën dhe mori gradën toger. Për ta thelluar dijen e mëtejmë në veterinari, Sabiti me mjete të veta shkoi në Gjermani në specializim, ku nuk qëndroi shumë dhe kaloi në Paris, ku e vazhdoi specializimin në Institutin “Lui Paster”. Më 1927 Sabit Golemi u kthye në Shqipëri, ku shërbeu në “Zooteknikë” të Tiranës dhe bëri hulumtime në këtë degë, themeloi Laboratorin Bakteriologjik-Veterinar. Pasi Sabit Golemi nuk u pajtua me regjimin e Zogut, pushteti i atëhershëm e ndoqi dhe e dënoi me 101 vjet burg. Për shkak të presionit nga populli dhe nga jashtë pushteti i Zogut e liroi nga burgu Sabit Golemin me disa shokë më 1935. Pas lirimit nga burgu S. Golemi shkoi në Turqi dhe punoi në Brusë e Ankara si bakteriolog. Prej aty mori pjesë në shumë kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare. Më 1952 u emërua drejtor i Qendrës Shëndetësore “Refik Saydan”. Dr. Sabit Golemi nga Qeveria Franceze më 1952 mori Medalen “ Legion D Honner”. Dr. S. Golemi ka të botuara mbi 50 studime shkencore dhe me emrin e Sabit Golemit është pagëzuar një institut në Turqi, ku zhvillohen hulumtimet e BSG. Pas vdekjes së S. Golemit Kuvendi Popullor i Shqipërisë më 1969 e nderoi me “Urdhërin e Punës të Klasit I”.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.