S.Hysein Muhaxhiri
Doktor i shkencave të natyrës – fizikës
Lindi më 1928 në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. SHLP-Dega e Fizikës e kreu në Beograd më 1950. Shkallën e Dytë të FSHMN-Dega e Fizikës e kreu në Shkup më 1961. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Elektroteknikës në Zagreb në të cilin edhe magjistroi në prill të vitit 1972 me temën: ”NDËRRIMET DIELEKTRIKE”(kr). Mr. Hysein Muhaxhiri doktoroi në FSHMN të Prishtinës në shkurt të vitit 1978 me temën:”ZHVILLIMI I KUPTIMIT TË NATYRËS SË MAGNETIZMIT NË FIZIKËN KLASIKE”(sr). Dr. Hysein Muhaxhiri në fillim punoi si mësimdhënës i fizikës në Gjimnaz të Mitrovicës e të Prishtinës. Më 1956 kaloi me punë në Shkollën Normale Shqipe të Shkupit, kurse më 1961 u zgjodh asistent i fizikës në Degën e Fizikës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Në FSHMN arriti deri te prof. ordinar i fizikës në këtë fakultet. Ka ligjëruar në SHLP të Prishtinës e të Prizrenit. Ka ligjëruar fizikën në Fakultetin Teknik të Prishtinës, dhe ishte dekan i këtij fakulteti. Ka të botuara tekste të fizikës për të gjitha nivelet e shkollimit. Ka qenë në specializim në Londër, ishte profesori i parë i fizikës në Kosovë. Vdiq në Prishtinë më 1995.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.