Ruke Shala – Beqiraj
Doktor e shkencave të mjekësisë
Lindi në shkurt të vitit 1956 në Isniq të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Gjimnazin) në Deçan. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Prishtinë më 1982. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet në Prishtinë, ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1989 me temën: ”EOZINOFILIA DHE INFEKTIMI ME HELMINTE TË ZORRËVE”. Mr. Ruke Shala – Beqiraj doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në maj të vitit 1998 me temën: ”STUDIMI I KARAKTERISTIKAVE TË VEÇANTA HISTOARKITEKTONIKE TË TIMUSIT GJATË JETËS PRENATALE DHE POSTNATALE”. Dr. Ruke Shala-Beqiraj gjatë studimeve ishte demonstratore e lëndës së Anatomisë patologjike në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinës, mandej u punësua si mjeke në Institutin e Histologjisë me Embriologji në këtë fakultet, më 1985 u zgjodh asistente e histologjisë me embriologji. Tash punon si docente e këtyre lëndëve në këtë fakultet në Prishtinë. Ka të botuara 4 punime shkencore si autor-koautor, 1 tekst universitar si bashkautore dhe 3 tekste të përkthyera. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore në vend dhe jashtë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.