← Shfleto

Rexhep Munishi

Doktor i artit muzikor – etnomuzikologjisë

Lindi më 1946 në Gmincë të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në Hogosht, kurse të mesmen (të Muzikës) në Prizren. Akademinë e Muzikës e kreu në Beograd më 1969. Specializimin në lëmin e muzikës-Etnomuzikologjinë - e bëri në Universitetin VIII të Parisit, ku edhe doktoroi në tetor të vitit 1981 me temën: ” KËNGËT MALËSORE SHQIPTARE”(fr). Dr. Rexhep Munishi punën e filloi si mësimdhënës i muzikës në Kamanicë. Gjilan, më vonë në Shkollën e Muzikës të Prishtinës. Prej vitit 1971 punon në Institutin Albanologjik - Dega e Folklorit-Etnomuzikologjisë në Prishtinë. Më 1982 u zgjodh prof. ordinar i folklorit muzikor në Akademinë e Arteve-Dega e Muzikës në Prishtinë. Ka 6 monografi, 200 studime-artikuj e komponime muzikore për të rinj dhe fëmijë në frymën e melosit popullor, 4 vepra të veçanta, 5 vepra të botuara në gjuhë të huaja dhe ka specializuar në shumë kryeqendra të Evropës. Ka disa shpërblime si atë të Dhjetorit, të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, dhe Okarinën e Artë në Akordet e Kosovës.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.