Ramazan Çadri
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi në qershor të vitit 1949 në Trebisht. Mësimet e para i mori në vendlindje të mesmet dhe shkollimin e lartë i kreu në Tiranë. E kreu Degën për mësues të gjuhës shqipe për shkolla të mesme. Shkallën e parë të kualifikimit pasuniversitar e mbaroi në vitin 1988, më 1995 u specializua për letërsi bullgare në Universitetin e Sofjes (Bullgari). Është njohës i gjuhëve të huaja: frëngjisht, bullgarisht, rusisht, maqedonisht dhe anglisht. Ka marrë këto dëshmi dhe diploma pasuniversitare: ”Kandidat i shkencave” me vendimin nr. 183 të datës 13.10.1988; “Doktor shkencash”. Vendimi i KM nr. 351 i 30 qershorit 1993; “Mjeshtër kërkimesh” më 29 shkurt 2002. Dr. Ramazan Çadri në fillim punoi si mësues në Klenjë, drejtor shkolle në Trebisht, inspektor në Seksionin e arsimit dhe të Kulturës në Dibër, punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës, pedagog i gjuhës bullgare në Universitetin e Tiranës, përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore në Ministrinë e arsimit dhe të Shkencës e Tiranës. Ka botuar 3 monografi, tekste shkollore si dhe “Fjalorin shqip-maqedonisht”, ”Fjalor shqip-bullgarisht” dhe shumë artikuj e studime në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Ka shkruar edhe përralla për fëmijë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.