Rahim Gjika
Doktor i shkencave të mjekësisë
Lindi më 1937 në Mustafe. Mësimet e para i kreu në vendlindje, shtatëvjeçaren e vazhdoi në Shkodër, Politeknikumin Mjekësor e kreu në Tiranë, si dhe Fakultetin e Mjekësisë më 1960. Pas diplomimit u specializua në degën e Obstetrikë-Gjinekologji dhe u emërua drejtor i Maternitetit në Peshkopi. Në vitin 1987 iu dha grada shkencore “Kandidat i shkencave”, me 1996 mori gradën shkencore “Doktor shkence” dhe më pas u shpall “Mjeshtër Kërkimesh” dhe profesor i asocuar. Dr. Rahim Gjika i ka realizuar 51 punime shkencore në Buletinet shkencore, të botuara edhe jashtë vendi. Botoi edhe në fusha tjera, si në gjuhësi, histori e gjeografi. Ka mbajtur referat në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe të Tiranës (1972). Është autor i disa teksteve mësimore. E ka botuar fjalorin anglisht – shqip të mjekësisë, dhe “ Fjalorin e termave të obstetrikës dhe gjinekologjisë” në 5 gjuhë. Dr. Rahim Gjika dinte shumë gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rusisht. Vdiq në vitin 2003.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.