Qemal Murati
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi më 1955 në Tuhin të Kërçovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Gjimnazin në Prishtinë. Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Prishtinë më 1979. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në tetor të vitit 1983 me temën: ”NDIKIMET RECIPROKE NË MES TË SHQIPES DHE MAQEDONISHTES”. Mr. Qemal Murati doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës në dhjetor të vitit 1989 me temën: ”SLLAVIZMAT NË TË FOLMEN SHQIPE TË MAQEDONISË”. Dr. Qemal Murati së pari punoi si lektor e redaktor i gazetës “Bota e Re,” dhe redaktor në RTP. Mandej si bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka specializuar gjuhën në Paris. Një kohë ka ligjëruar në Universitetin e Tetovës në Katedrën e Gjuhës Shqipe. Ishte shef i kësaj katedre dhe dekan i Fakultetit të Filologjisë në Tetovë. Ishte kryeredaktor i TV. privat USKANA. Ka të botuara mbi 400 njësi bibliografike dhe 20 vepra. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume në vend dhe jashtë me kumtesa.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.