← Shfleto

Pleurat Xhuvani

Doktor i shkencave të ekonomisë

Lindi në mars të vitit 1920 në Elbasan. Mësimet fillestare dhe Shkollën Normale i kreu në vendlindje. Studimet universitare i filloi në Fakultetin e Pedagogjisë të Firencës por i ndërpreu për ti vazhduar në Fakultetin e Ekonomisë së Industrisë në Institutin e Planit të Shën Peterburgut dhe i përfundoi me notë të lartë në vitin 1952. Në periudhën 1948-1959 ka qenë kryetar i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Leningradit. Kualifikimin pasuniversitar në formën e aspiranturës e kreu më 1959 në Moskë, kurse kualifikimin pasuniversitar në Paris “Për problemet e përsosjes së organizimit dhe të drejtimit të ndërmarrjeve”. Pleurat Xhuvani më 1961 u bë docent kurse më 1963 kandidat (doktor) i shkencave. Dr. P. Xhuvani ka qenë drejtor në Ministrinë e Jashtme, drejtor i Drejtorisë së financë – kontabilitet, zv. ministër e ministër i industrisë pedagog në Fakultetin Ekonomik - Dega e Organizimit dhe Planifikimit të ndërmarrjeve dhe shef Katedre si dhe dekan i Fakultetit Ekonomik. Dr. Pleurat Xhuvani ka botime në formë të monografive. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore në vend dhe jashtë vendit, ka botuar në revista të ndryshme dhe ka përcjellë 13 disertacione doktorature. U dekorua me “Urdhrin për Punë” kl. II, Urdhri “N. Frashëri” kl. I. dhe disa medalje “Punonjës i shquar i shkencës” dhe shumë medalje tjera.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.