Petro Roçi
Doktor i kimisë farmaceutike
Lindi më 1904 në Durrës. Shkollën fillore e kreu në Tiranë, të mesmen e nisi në Napoli (Itali) dhe e kreu në Rumani. Studimet e larta i bëri në Fakultetin e Kimisë dhe të Farmacisë të Universitetit të Torinos dhe të Vjenës dhe u laurua “Doktor i Kimisë dhe i Farmacisë” më 1934. Në atë kohë kthehet në Shqipëri dhe emërohet drejtues i Farmacisë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Dr. Petro Roçi më 1946 u emërua ministër i Shëndetësisë i Shqipërisë, ku qëndroi deri më 1969. Ishte edhe pedagog në Degën e Farmacisë në Universitetin e Tiranës për lëndën Organizimi dhe shërbimi farmaceutik. Dr. P.Roçi është ndër të parët që shkroi për sulfonamidët së bashku me Dr. M.Vaskopolën dhe për antibiotikët, ka shkruar “Vademekumet” për specialistë të farmacistikës dhe i ka përkthyer “Vademekumin mjekësor” dhe tekstin “ Organizimi i shërbimit farmaceutik” me dy bashkautorë. Dr. Petro Roçi ka qenë figurë e shquar e farmacisë shqiptare të kohës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.