Nebi Islami
Doktor i shkencave të filologjisë
Lindi në korrik të vitit 1943 në Norçë të Preshevës. Shkollën fillore e kreu në Preshevë, kurse të mesmen (Normalen) në Prishtinë. Akademinë Pedagogjike e kreu në Shkup, Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe - e kreu në Prishtinë më 1976. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik të Prishtinës ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1986 me temën: ”MOTIVET BIBLIKE NË PROZËN E NOLIT”. Mr. Nebi Islami doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës, në nëntor të vitit 1993 me temën: ”MITI NË DRAMËN E SOTME SHQIPE”. Dr. Nebi Islami së pari punoi si mësues, arsimtar e profesor në Bujanoc, mandej prof. në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, që nga viti 1993 ligjëron lëndën historinë e dramës-dramaturgjinë dhe Letërsinë III në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës. Ka të botuara 200 njësi bibliografike dhe 2 tekste universitare dhe 3 drama. Është laureat i Çmimit Kombëtar për dramën “Hijesina” nga Republika e Shqipërisë. Tash është prof. ordinar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.