Nebi Caka
Doktor i shkencave teknike – elektroteknikës
Lindi në mars të vitit 1946 në Prishtinë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Fakultetin e Elektroteknikës me Telekomunikacion e kreu në Banjallukë më 1971. Mandej kreu edhe Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe të Prishtinës më 1979. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Filologjisë së Prishtinës ku edhe magjistroi në janar të vitit 1986 me temën: ”ANALIZA STATISTIKORE DHE STILISTIKE E GJUHËS SË LASGUSH PORADECIT”. Mr. Nebi Caka i kreu edhe Studimet pasuniversitare në Fakultetin e Elektroteknikës të Zagrebit, ku edhe magjistroi në shkurt të vitit 1988 me temën: ”VLERËSIMI I CILËSISË SË MAGNETOSKOPIT HELIKOIDAL”(kr). Magjistri i Filologjisë dhe i Elektroteknikës e vazhdoi punën shkencore dhe doktoroi në Fakultetin e Elektroteknikës të Prishtinës në shtator të vitit 2001 me temën: ”ZBATIMI I PROCESIMIT OPTIK TË TË DHËNAVE DHE MATJA E DUKURIVE DINAMIKE BIOMJEKËSORE”. Magjistri i DYFISHTË dhe doktori i Elektroteknikës së pari punoi si mësimdhënës në Qendrën Teknike të Prishtinës, në Kombinatin “Kosova” të Obiliqit, në Televizionin e Prishtinës, kurse tash punon në Fakultetin e Elektroteknikës të Prishtinës si ligjërues i lëndëve Mikroelektronika dhe Optoelektronika. Ka të botuar një tekst universitar dhe disa punime shkencore. Dr. Nebi Caka është kandidat që i kreu dy Fakultete dhe ka magjistruar dy herë, d.m.th. është magjistër i dyfishtë dhe doktor i Elektroteknikës që është RAST I RRALLË.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.