Myzafere Krasniqi-Limani
Doktor e shkencave teknike – elektroteknikës
Lindi në nëntor të vitit 1954 në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Gjimnazin) i kreu në vendlindje. Fakultetin Teknik-Dega e Elektroteknikës –Drejtimi i Elektronikës me Telekomunikacion e kreu në Prishtinë më 1978. Ishte “Studente e dalluar”. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Elektroteknikës në Beograd ku edhe magjistroi në maj të vitit 1988 me temën:”KONTRIBUT NË PËRCAKTIMIN E NIVELEVE TË LEJUARA TË NXITIMIT GJATË VLERËSIMIT TË VEPRIMIT TË DËMSHËM TË VIBRIMEVE MEKANIKE NË NJERI”(sr). Mr. Myzafere Krasniqi-Limani doktoroi në Fakultetin e Elektroteknikës të Prishtinës në mars të vitit 2000 me temën:”ANALIZA E DIFRAKSIONIT AKUSTIK NË GRILLË DUKE U BAZUAR NË ANALOGJI ME VALËT ELEKTROMAGNETIKE”. Dr. Myzafere Krasniqi-Limani së pari filloi punën si Inxh. e Elektroteknikës dhe drejtor teknik në PTT të Pejës, kurse më 1979 u zgjodh asistente në Fakultetin Teknik-Dega e Elektroteknikës me Telekomunikacion në Prishtinë ku arriti deri te prof. ordinar e lëndëve Elektroakustika dhe Elektronika me Telekomunikacion. Ka qenë shef Katedre në Degën e Elektronikës dhe prodekan i Fakultetit të Elektroteknikës të Prishtinës. Ka qenë edhe anëtare e Senatit të Universitetit të Prishtinës dhe është anëtare e Akademisë Nacionale të Inxhinierëve (NAE) në Galerinë e femrave Inxhiniere në SHBA. Dr. Myzafere Krasniqi-Limani ka të botuara 21 punime profesionale dhe 8 punime shkencore si dhe 1 tekst universitar.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.