Mustafa Demiri
Doktor i shkencave të natyrës – biologjisë
Lindi më 1923 në Elbasan, ku i mori mësimet e para. E kreu Shkollën Normale. Studimet për biologji i filloi në Universitetin e Zagrebit (ish-Jugosllavi) dhe i mbaroi në Universitetin e Sofjes (Bullgari) më 1951. Pas një kohe edhe doktoroi si botanist më 1963 në Universitetin e Tiranës me temën: ”MBI BIOLOGJINË, DINAMIKËN DHE PRODHIMIN E VLERËN USHQYESE TË DISA ASOCIACIONEVE FORAGJERE TË KULLOSAVE TË SHQIPËRISË SË MESME “. Dr. Mustafa Demiri punoi si mësues në rrethin e Gramshit, në Ministrinë e Arsimit, në degën e teksteve, mandej si mësimdhënës i biologjisë në Shkodër. Më 1952 u emërua punonjës shkencor në Katedrën e Botanikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Tiranës, ku u caktua përgjegjës i Kopshtit Botanik, të cilin e udhëhoqi 20 vjet. Punoi deri më 1985. Dr. M. Demiri shkroi tekste të botanikës. Ka pasë shumë punime shkencore të lëmit të botanikes. Vdiq në Tiranë më 1985.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.