Musli Bajraktari
Doktor i shkencave teknike – makinerisë
Lindi në dhjetor të vitit 1951 në Therandë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen –Teknike e kreu në Mitrovicë. Fakultetin Teknik-Seksioni i Makinerisë e kreu në Prishtinë më 1975. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin e Makinerisë-Anijendërtimtarisë në Zagreb ku magjistroi në qershor të vitit 1980 me temën: ”METODAT NUMERIKE NË ANALIZËN E KONSTRUKCIONEVE RRJETORE”(kr). Mr. Musli Bajraktari doktoroi në Fakultetin Teknik-Seksioni i Makinerisë, në Prishtinë, në shtator të vitit 1987 me temën: ”KONTRIBUT I HULUMTIMIT TË NDRYSHIMIT TË KËNDEVE TË THYERJES TE LITARËT MBAJTËS TË TELEFERIKUT ME DY LITARË”. Dr. Musli Bajraktari e filloi punën si mësimdhënës në Podujevë mandej si asistent i lëndës: mjetet transportuese dhe i gjeometrisë deskriptive në Fakultetin Teknik-Seksioni i Makinerisë në Prishtinë ku arriti deri te prof. ordinar i këtyre lëndëve në këtë fakultet. Ka qenë i angazhuar edhe në SHLT të Ferizajt. Dr. Musli Bajraktari kreu funksione të ndryshme: zëvendësudhëheqësi dhe udhëheqës i OTHPB Makineria të Prishtinës, deputet i Republikës së Kosovës, dekan i Fakultetit të Makinerisë, kryetar i Senatit të UP. Ka udhëhequr shumë kandidatë për magjistratura dhe doktorata, ka qenë edhe prorektor i UP. Ka të botuara 2 tekste universitare 13 dispenca, 2 tekste të përkthyera për shkolla të mesme e 10 punime shkencore.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.