Musa Gashi
Doktor i shkencave të natyrës – gjeografisë(turizmit)
Lindi në maj të vitit 1928 në Mitrovicë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesme e nisi në Mitrovicë dhe e kreu në Prishtinë. Fakultetin e SHMN-Dega e Gjeografisë e kreu në Beograd më 1952. Studimet pasuniversitare i bëri në të njëjtin fakultet, por në Degën e Turizmit në Beograd ku edhe magjistroi në tetor të vitit 1967 me temën: ”MUNDËSITË POTENCIALE TË ZHVILLIMIT TË TURIZMIT NË KOSOVË”(sr). Mr. Musa Gashi doktoroi në FSHMN-Dega e Gjeografisë - në Prishtinë në prill të vitit 1973 me temën: ”KUSHTET SOCIOGJEOGRAFIKE PËR ZHVILLIMIN E TURIZMIT NË KOSOVË”. Dr. Musa Gashi së pari punoi si mësues, si Prof. i gjeografisë në Gjimnazin e Mitrovicës, si këshilltar pedagogjik në Entin Krahinor për Përparimit të Shkollave, sekretar për Turizëm në Këshillin Ekzekutiv të KSA të Kosovës. Në vitin 1964 u zgjodh asistent i parë shqiptar në Katedrën e Gjeografisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku arriti deri te prof. ordinar i gjeografisë. Dr. M. Gashi ka qenë anëtar i Organizatës Botërore të Ekspertëve të turizmit në Bern, i Lidhjes së Turizmit të Jugosllavisë dhe të Kosovës. Ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore për turizëm në vend dhe jashtë vendit. Ka të botuara tekste për të gjitha nivelet e shkollimit (edhe universitare). Ka të botuara 120 punime shkencore të lëmit turizmit, jeton si pensionist në Prishtinë.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.