Murat Meha
Doktor i shkencave teknike – gjeodezisë
Lindi më 1946 në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Gjimnazin) në Skenderaj. Fakultetin e Gjeodezisë e kreu në Zagreb më 1980. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në tetor të vitit 1988 me temën: ”METODAT E LOGARITJES SË KUBATURËS NË MIHJET SIPËRFAQËSORE DHE SAKTËSIA E TYRE”(kr). Mr. Murat Meha doktoroi në Fakultetin Politeknik të Tiranës në dhjetor të vitit 1999 me temën: ”METODAT GJEODEZIKE DHE SAKTËSIA E TYRE PËR CAKTIMIN E DEFORMIMEVE NË OBJEKTE INDUSTRIALE”. Dr. Murat Meha punoi si profesor i lëndëve gjeodezike në Shkollën e Gjeodezisë, punoi si inxh. i Gjeodezisë në Minierën e “Feronikelit” të Gllogocit. Më 1988 u zgjodh asistent e ligjërues në Fakultetin e Xehetarisë-Metalurgjisë në Mitrovicë si dhe në Degën e Gjeografisë në FSHMN të Prishtinës. Ka qenë edhe drejtor i Feronikelit. Ligjëron në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës të Prishtinës dhe në Tetovë. Ka të botuara 60 punime shkencore, dy tekste universitare disa libra të Hartografisë (Atllase) të Kosovës. Ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore të lëmit të Gjeodezisë në Kosovë dhe jashtë saj.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.