← Shfleto

Muhamet Tërnava

Doktor i shkencave të historisë

Lindi më 1947 në Lismir të Fushë Kosovës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Fushë Kosovë, kurse të mesmen e kreu në Prishtinë. Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë e kreu në Prishtinë më 1969. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik-Departamenti i shkencave ndihmëse në Zarë të Kroacisë, ku edhe magjistroi në maj të vitit 1974 me temën: ”DOKUMENTET E MESJETËS TË RËNDËSISHME PËR HISTORINË E KOSOVËS”(kr). Mr. Muhamet Tërnava doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zarës, ishte në kuadër të Universitetit të Zagrebit në dhjetor të vitit 1977 me temën: ”POPULLSIA E KOSOVËS GJATË SHEKULLIT XIV – XV”(kr). Dr. Muhamet Tërnava së pari punoi si profesor i historisë në Magurë të Lipjanit, në Shkollën Teknike të Obiliqit dhe në Ferizaj, mandej në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Më 1972 u zgjodh asistent në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës ku arriti deri te prof. ordinar i lëndës Historia e popujve të Ballkanit – mesjeta dhe historia gojore. Pushteti serb i kohës Muhametin e largoi nga puna dhe më 1981 e burgosi, dhe u dënua. Dr. Muhamet Tërnava u kthye në punë si profesor në vitin 1997 në Fakultetin Filozofik të Prishtinës ku edhe tash punon. Është autor i dhjeta artikujsh dhe studimesh të medievistikës botërore në revistat shkencore në vend dhe jashtë. Ka të botuar tezën e disertacionit që është kontribut për historiografinë shqiptare në përgjithësi. Ka të botuara edhe disa monografi.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.