← Shfleto

Muhamet Shatri

Doktor i shkencave të historisë

Lindi në korrik të vitit 1946 në Tomoc të Istogut (Burimit). Shkollën fillore e nisi në Muzhevinë dhe e kreu në Gurakoc, kurse të mesmen (Gjimnazin) e kreu në Pejë. Fakultetin Filozofik e kreu në Prishtinë (me korrespodencë) me 1972. Po në këtë fakultet i bëri edhe studimet pasuniversitare dhe magjistroi në Prishtinë në qershor të vitit 1977 me temën: ”RIVALITETI JUGOSLLAVO – ITALIAN NDAJ SHQIPËRISË 1912 - 1927”. Mr. Muhamet Shatri doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në qershor të vitit 1982 me temën:”PRIZRENI DHE RRETHINA NË LËVIZJEN NACIONALÇLIRIMTARE 1941 - 1845”. Dr. Muhamet Shatri në fillim punoi si mësimdhënës në Shkollën Fillore të Gurakocit, mandej si profesor i historisë në Gjimnaz të Istogut, në Normale të Prishtinës dhe në Qendrën Teknike të Obiliqit. Më 1978 u punësua në Institutin e Historisë të Kosovës në Prishtinë si bashkëpunëtor i historisë. Punoi deri në korrik të vitit 1989. Me një grup intelektualësh dhe veprimtarësh u mor në të ashtuquajturën “Izolim”, ku u torturua mëse 3 muaj në burgjet e Leskovcit, Beogradit dhe të Prishtinës. Pas lirimit nga burgu u detyrua të largohej nga Kosova dhe shkoi në Suedi. Dr. M. Shatri ka marrë pjesë në disa simpoziume në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe ka të botuara 2 monografi, 13 punime shkencore dhe 10 kontribute të tjera.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.