← Shfleto

Muhamed Mufaku

Doktor i shkencave të filologjisë

Lindi më 1944 në Damask të Sirisë. Familja e tij ishte me prejardhje shqiptare nga Istogu (Burimi) i Kosovës. Shkollimin fillor dhe të mesmen i kreu në gjuhë arabe në Damask të Sirisë. Fakultetin gjithashtu e kreu në Damask. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Filozofik të Prishtinës ku edhe magjistroi në qershor të vitit 1977 me temën: ”PRANIMI I SHQIPTARËVE NË SIRI DHE ROLI I TYRE NË JETËN SIRIANE”. Mr. Muhamed Mufaku doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në dhjetor të vitit 1981 me temën: ”LIDHJA LETRARE SHQIPTARO-ARABE”. Dr. Muhamed Mufaku merret me studime të letërsisë komparative dhe me përkthime letrare prej shqipes arabisht dhe anasjelltas. Është përpilues i dy monografive në dy gjuhë (shqip-arabisht). Ka qenë ligjërues i gjuhës dhe i letërsisë arabe në Degën e Orientalistikës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, deri sa erdhi kuadri i ri kosovar për këtë fushë. Dr. Muhamed Mufaku jeton dhe vepron në Damask.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.