Mexhait Reçi
Doktor i shkencave të ekonomisë
Lindi në mars të vitit 1957 në Livadhi të Strugës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (Gjimnazin) në Strugë. Fakultetin Ekonomik e kreu në Prishtinë më 1980, si student i dalluar. Studimet pasuniversitare i bëri në Fakultetin Ekonomik të Zagrebit, ku edhe magjistroi në janar të vitit 1991 me temën: ”INVESTIMET DHE ZHVILLIMI EKONOMIK I KOSOVËS ME VESHTRIM TË POSAÇËM NË POLITIKËN STRUKTURALE”(kr). Mr. Mexhait Reçi doktoroi në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës në nëntor të vitit 2001 me temën: ”NDËRVARËSIA E FAKTORËVE RELEVANTË MAKROEKONOMIK NË ZHVILLIMIN E IRJ TË MAQEDONISË”. Dr. Mexhait Reçi fillimisht punoi si mësimdhënës i lëndëve ekonomike në Shkollën Bujqësore në Prishtinë. Më 1981 u zgjodh asistent i lëndëve Kontabiliteti II dhe Teoria dhe analiza e bilancit. Mandej u autorizua të ligjëronte lëndët Kontabiliteti financiar dhe bankar si dhe Sistemet informative financiare në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, kurse në Fakultetin e Bujqësisë ka ligjëruar lëndën Kalkulimet. Dr. M.Reçi ka dhënë kontribut të veçantë në themelimin e Universitetit të Tetovës. Ka qenë anëtar dhe kryetar i Këshillit Nismëtar për themelimin e UT dhe Fakulteti Ekonomik në këtë Universitet ku ka qenë Dekan i parë i këtij fakulteti edhe tash është ligjërues. Dr. M.Reçi ka të botuara disa punime shkencore dhe ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore në Kosovë dhe jashtë. Tash është docent në Fakultetin e Ekonomik të Prishtinës.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.