Masar Rizvanolli
Doktor i shkencave të historisë
Lindi më 1933 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesmen (Normalen) i kreu në vendlindje. Fakultetin Filozofik-Dega e Historisë e kreu në Beograd më 1959. Studimet pasuniversitare i filloi në Fakultetin Filozofik të Beogradit kurse i kreu në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku edhe magjistroi në korrik të vitit 1977 me temën:” ASIM VOKSHI 1909 – 1937”. Mr. Masar Rizvanolli doktoroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në korrik të vitit 1990 me temën:” VENDOSJA E SISTEMIT TË TIMARIT NË KOSOVË NË GJYSMEN E DYTË TË SHEKULLIT XV”. Dr. Masar Rizvanolli së pari punoi si mësues në Shtime, mandej si profesor i historisë në gjimnaz dhe SHLP të Gjakovës. Më 1976 kaloi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës si ligjërues i lëndës Historia e popullit shqiptar-Periudha e Rilindjes Kombëtare, ku arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Ka të botuara 99 punime shkencore nga lëmi i historiografisë shqiptare. Punoi si prof. i rregullt në Fakultetin Filozofik të Prishtinës deri në pensionim.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.