Mark Krasniqi
Doktor i shkencave të natyrës – gjeografisë
Lindi më 1920 në Gllaviçicë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (Gjimnazin) në Pejë. Studimet i filloi në Padovë të Italisë kurse i kreu në Fakultetin Filozofik-Dega e Gjeografisë-Etnografisë në Beograd më 1950. Doktoroi në Fakultetin Filozofik të Lubjanës në nëntor të vitit 1960 me temën:”NDRYSHIMET BASHKËKOHORE SHOQËRORE GJEOGRAFIKE NË KOSOVË DHE METOHI”(sr). Dr. Mark Krasniqi punës ia filloi si gazetar i “Rilindjes” në Prizren, mandej në Radio Beograd si gazetar-redaktor i radios në Gjuhën Shqipe, në Akademinë Serbe të Shkencave si bashkëpunëtor shkencor e më 1961 zgjidhet profesor në Fakultetin Juridik – Ekonomik në Prishtinë, ku ka qenë dy mandate prodekan dhe dekan i këtij fakulteti. Ka ligjëruar lëndën Gjeografia Ekonomike dhe arriti deri te prof. ordinar i kësaj lënde në këtë fakultet. Ka qenë pjesëmarrës i LNÇ. Mandej është zgjedhur anëtar i rregullt i ASHA të Kosovës ku ka qenë dy herë kryetar i kësaj Akademie. Ka të botuara tekste shkollore për të gjitha nivelet e shkollimit. Tekste të përkthyera nga serbokroatishtja në shqipe. Ka të botuara 20 vepra kryesisht me poezi. Ka më tepër se 100 njësi bibliografike të botuara. Akademik M. Krasniqi pas vitit 1981 ka qenë i larguar nga procesi mësimor nga pushteti serbokomunist i ish-Jugosllavisë. Ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, dhe Deputet në Parlamentin e Kosovës pas zgjedhjeve të lira.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.