Liri Josa (Xhepa)
Doktor e shkencave të ekonomisë
Lindi në tetor të vitit 1938 në Tiranë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Studimet e larta i bëri në Institutin Ekonomik-Dega e Statistikës në Sofje më 1960. Më 1984 e mori gradën shkencore “Kandidat i Shkencave Ekonomike” me temën: “STUDIMI STATISTIKOR I KËRKESAVE KONSUMATORE PËR MALLRA E VESHMBATHJE MBI BAZËN E MATJEVE ANTROPOMETRIKE PËR RROBAT E GATSHME DHE KËPUCËT”. Në vitin 1985 mori gradën shkencore “Kandidat i Shkencave “ me vendimin nr.9 datë 19.01.1985 të Komisionit të Lartë të Atestimit në Tiranë. Më 1993 Komisioni i Kualifikimit Shkencor i dha gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike”. Dr. Liri Josa së pari punoi si specialiste e hartimit dhe e matjes së treguesve statistikorë në Drejtorinë e Përgjithshme të Statistikës në Komisionin e Planit të Shtetit. Ka punuar si ekonomiste në ndërmarrjen e Prodhimit të veshjeve (NNV), Tiranë. Prej vitit 1970 punon si pedagoge në Fakultetin Ekonomik-Dega e Statistikës e Tiranës për lëndët: Teoria e përgjithshme e statistikës, Statistika e tregtisë. Ka qenë autor-bashkautore e teksteve universitare; anëtare e Këshillit Kombëtar të Statistikave në INSTAT. Ka botuar monografi e fjalorë të termave statistikorë etj.
Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.