← Shfleto

Karl Gega

Doktor i shkencave të matematikës

Prindërit e tij kishin ardhur nga Kallmeti i Lezhës dhe ishin vendosur në Venedik, së bashku me shumë bashkatdhetarë të ikur nga Shqipëria Veriore pas pushtimit osman. Karl Gega lindi më 10 janar 1802 në Venedik. Mësimet e para i kreu në vendlindje. Si individ, Karli u zhvillua para kohe dhe Kolegjin për filozofi e matematikë e kreu me sukses shumë të mirë në moshën 15-vjeçare, pastaj u regjistrua në Universitetin e Padovës. Vetëm pas një viti u diplomua në degën e inxhinierisë, pasi kishte mbushur 17 vjeç, ndërsa më pas mori titullin Doktor në matematikë në moshën 18-vjeçare, më 1819/1820. Dr. Karl Gega më vonë studioi dhe specializoi shkencat hekurudhore në Angli, në shtete të tjera të Evropës dhe në Amerikë, përmes udhëtimeve studimore. Karrierën si inxhinier e filloi me ndërtime rrugësh dhe ujësjellësish në Venedik. Ndihmoi në ndërtimin e rrugës nga Treviso për në Cortina d’Ampezzo. Më pas ishte udhëheqës i ndërtimit të pjesës së rrugës hekurudhore “Kaiser-Ferdinand-Nordbahn”, Lundenburg-Brno. Më 1842, K. Gega u emërua udhëheqës planifikimi për gjithë jugun e shtetit austro-hungarez. Pas kthimit nga Amerika, Karli u ngarkua me planifikimin dhe ndërtimin e hekurudhës në drejtim të jugut, nga Mürzzuschlag nëpër Graz deri në Trieste. Tejkalimi i malit të Semmering-ut llogaritej shumë i rëndë dhe i pamundur. Ai u mor me trasimin e linjës hekurudhore të Semmering-ut, me tunel të gjatë 1430 metra. Për këtë ndërtim duhej bërë një punë vigane. Gjatë linjës së kësaj hekurudhe u ndërtuan 16 ujësjellës me gjatësi prej 1502 metrash, 15 tunele me gjatësi prej 4520 metrash, disa qindra ura të vogla dhe një mori muresh mbrojtëse për sigurimin e trenave nga shembja e dheut e të tjera. Duhet pasur parasysh se aso kohe për shpimin e shkëmbinjve nuk kishte mjete të tjera përveç turjelave me dorë. Shpimi i tunelit të Semmering-ut ishte pika kulminante e kësaj hekurudhe, që ishte 818 metra mbi nivelin e detit. Ky tunel, për arsye të gjatësisë, nuk u shpua vetëm horizontalisht nga të dyja anët, por edhe vertikalisht. Pak kohë përpara se të përfundonte ndërtimi i hekurudhës së Semmering-ut, qeveria austriake e dërgoi Karlin në Siebenburg për të ndërtuar një hekurudhë të re. Kjo ishte një manovër e bërë me paramendim për ta larguar prej andej, pikërisht në një kohë kur po përfundonte vepra e tij kryesore. Ai u mërzit dhe u shqetësua shumë për këtë luftë që po i bëhej prapa shpine. Mjaftonte një lajthitje banale e teknikëve që dy anët e tunelit të mos takoheshin në pikën e dëshiruar. Ai ndodhej në Vjenë kur dikush i tha se dy anët e kundërta të tunelit kishin devijuar gjatë shpimit pa u takuar. Ky lajm e tronditi tej mase Karl Gegën, sepse në këtë vepër kishte derdhur shumë mund dhe njohuri. Kjo ia gërryente krenarinë. Karl Gega vdiq në Vjenë më 14 mars 1860, ndërsa përmendet se kishte qenë i sëmurë edhe nga tuberkulozi. Ndërkohë, tuneli i Semmering-ut kishte përfunduar me sukses, por Karl Gega nuk arriti ta gëzonte përurimin e veprës së tij të madhe. Dr. Karl Gega shkrimet e veta i ka shkruar në gjuhët gjermane, frënge dhe italiane. Ceremonia fetare u zhvillua në Katedralen kryesore të Vjenës. Më 1887, sarkofagu me eshtrat e Gegës u vendos në panteonin e njerëzve më të shquar të Austrisë, pranë Mozartit, Beethoven-it, Schubert-it, Strauss-it, Brahms-it dhe Alois Negrellit, projektuesit të kanalit të Suezit. Një rrugë në Vjenë mban emrin e Karl Gegës dhe një monedhë e Austrisë ka portretin e tij.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.