← Shfleto

Jusuf Bajraktari

Doktor i shkencave të historisë

Lindi në mars të vitit 1948 në Morinë të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Ponoshec, kurse gjimnazin në Gjakovë. Fakultetin Filozofik e kreu në Prishtinë më 1973 mandej po aty i bëri edhe studimet pasuniversitare në Degën e Historisë dhe magjistroi në janar të vitit 1978 me temëm: ”PLENUMI I BRIONEVE DHE JEHONA E NDIKIMIT TË TIJ NË KOSOVË”. Mr. Jusuf Bajraktari doktoroi në të njëjtin fakultet në Prishtinë në janar të vitit 1985 me temën: ”GJAKOVA ME RRETHINË NË FUND TË SHEKULLIT XIX DHE NË FILLIM TË SHEKULLIT XX (1878-1912)”. Dr. Jusuf Bajraktari së pari punoi si mësues-arsimtar në Ponoshec, në shkollat e mesme të Prishtinës, kurse në shtator të vitit 1973 u emrua bashkëpunëtor profesional në Sekretariatin Krahinor të Arsimit, Shkencës e Kulturës në Kosovë, e që nga viti 1978 punon në Institutin e Historisë të Kosovës në Prishtinë dhe është Bashkëpuntor i lartë shkencor në këtë institut. Dr. J. Bajraktari ka tekste për shkolla të mesme, 8 punime shkencore të botuara dhe 10 kontribute të tjera. Ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.