← Shfleto

Jonuzi Sheh

Magjistër i fesë islame

Lindi më 1848 në Jashanicë të Toplicës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, të mesmet në Vushtrri, kurse Fakultetin e Teologjisë e kreu në Stamboll. Sheh Jonuzi veprimtarinë e vet e filloi në Vushtrri si predikues fetar-arsimor e kulturor në gjuhën shqipe. Pushteti i atëhershëm turk kur e hetoi veprimtarinë pedagogjike-arsimore e ndoqi sheh Jonuzin, ky u detyrua ta braktisë Vushtrinë dhe u vendos në Suhadoll të Poshtëm të Mitrovicës, ku fshatarët e këtij lokaliteti për hir të tij e ndërtuan një teqe që më vonë bëhet shkollë e pavarur ku mësohej në gjuhën shqipe. Për këtë veprimtari Sheh Jonuzi u nxor para Gjyqit në Vilajetin e Shkupit, po për mungesë të fakteve gjyqi e liroi nga aktakuza. Sheh Jonuzi kreu një mision të rëndësishëm në arsimimin e popullit në gjuhën shqipe të kësaj treve. Ky është marrë edhe me shkrime Ilahish me përmbajtje fetare ka lënë një përmbledhje poezish të quajtur “Elif” që ka 29 poezi me përmbajtje fetare e patriotike, një pjesë e këtyre vjershave janë botuar në librin “Poezija e Bejtexhive”. Duke pasur parasysh veprimtarinë arsimore e patriotike dhe poezitë të botuara (sipas Dr. J. Vatocit) Sheh Jonuzi hyn në radhën e magjistrave të teologjisë. Më vonë u caktua sheh i Teqes së Suhadollit ku punoi deri në vdekje. U varros në Teqe të Suhadollit Sheh Jonuzi më 1909.

Të dhënat e kësaj hyrjeje mbulojnë periudhën deri në vitin 2000.